
Ambasadori amerikan në vendin tonë Aleksandër Arvizu e konsideroi
procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe fjalimet e
kandidatëve për president si leksionin e radhës për politikën shqiptare.
Pasi kanë shprehur edhe ata votën për kreun e ardhshëm të SHBA në katër vitet e ardhshme, pavarësisht se mijëra kilometra larg dhe ne një tjetër kontinent, përfaqësuesit e ambasadës së SHBA në Tiranë dhe ambasadori Aleksandër Arvizu, kanë pritur në praninë e një numri të lartë të ftuarve të saj, personazheve politike e publike shqiptare dhe nën një prezencë të lartë mediatike shpalljen e fituesit të këtyre zgjedhjeve.
Menjëherë nga rikonfirmimi edhe për një tjetër mandat të presidentit Barack Obama, fjalimi i të cilit është ndjekur me vëmendje nga të gjithë të ftuarit, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka përcjellë dy mesazhe për politikën shqiptare, së cilës i kërkoi vëmendjen e lartë për t’i mbajtur mirë parasysh për të kuptuar, sipas tij, se cdo të thotë demokraci.
“Shihni ju lutem se sa persona kanë votuar, më shumë se sa 106 milionë votues. 98 përqind e votave janë numëruar dhe për këtë u është dashur vetëm 5-6 orë dhe asnjë javë dhe as disa ditë; atyre u janë dashur vetëm disa orë. Qartkazi ne kemi disa avantazhe teknologjike, por e rëndësishme është të ecet përpara me shpejtësi dhe mënyrë efikase sepse kur nuk e bën këtë humbet besimin e njerëzve”, tha Arvizu.
Mesazhi i dytë i ambasadorit Amerikan, ishte ai i bashkëpunimit.
“Mbi 100 milion amerikanë nuk kanë votuar për Barack Obamën, por që tani presidenti Obama nuk është vetëm presidenti i atyre që kanë votuar për të, ai është presidenti i cdo amerikani i gjithësecilit dhe cdo amerikan këmbëngul që Obama të bëjë një punë të mirë që të udhëheqë në mënyrë efikase, në mënyrë të drejtë ai është President i SHBA. Dhe me e rëndësishmja pjesëmarrrja qytetare duke kërkuar llogari, përgjegjshmëri. Faleminderit shumë që morët pjesë në këtë festim të demokracisë amerikane”, vijoi ambasadori amerikan.
***
Gjatë transmetimit special të emisionit të mëngjesit “Wake Up”, i ftuar ishte edhe ambasadori amerikan në Tiranë Aleksander Arvizu, i cili komentoi zgjedhjet amerikane duke thënë se ky është një shembull që Shqipëria duhet të ndjekë në mbajtjen e zgjedhjeve.
“Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton tha se zgjedhjet e 2013 duhet të jenë të mira, transparente dhe kjo është një cështje vendimtare”, tha Arvizu. Duke folur për Top Channel, ambasadori theksoi se pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar për zgjedhjet e ardhshme janë të larta, sepse kur shqiptarët votojnë kanë dëshirë të ndjejnë besimin në rezultat.
“Arsyeja se përse sfidanti i Obamës, Romney mbajti një fjalim ku pranoi humbjen është se integriteti i zgjedhjeve është i sigurtë. Eshtë shumë e rëndësishme që shqiptarët të punojnë së bashku që zgjedhje të jenë të mira. Kushdo që do të humbasë, ta pranojë zgjedhjen e popullit”, tha Arvizu.
Top Channel