Ushtari USA, në gjyq për masakrën

06/11/2012 00:00

Një seancë paraprake gjyqësore ka nisur ndaj ushtarit amerikan Robert Bales, që akuzohet për vrasjen e 16 fshatarëve në Afganistan, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë.

Rreshteri Bales akuzohet se ka dalë nga baza në provincën e Kandaharit gjatë natës së 11 marsit dhe ka hapur zjarr ndaj civilëve në shtëpitë e tyre.

Masakra shkaktoi një irritim të popullsisë afgane dhe dëmtoi edhe më tej marrëdhëniet e vështira mes Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit.

Seanca do të vendosë nëse ka prova të mjaftueshme për të çuar çështjen në gjykatë ushtarake. Rreshteri Bales përballet me 16 akuza për vrasje me paramendim, gjashtë të tjera për tentativë vrasjeje, si dhe akuza të tjera për sulme duke përdorur steroidë.

Nëse shpallet fajtor ai mund të dënohet me vdekje. Proçesi, i mbajtur në një bazë në shtetin e Uashingtonit, pritet të zgjasë dy javë dhe gjatë tij do të transmetohet një video me dëshmi nga banorë të Afganistanit.

Në deklaratën që hapi seancën, prokurori Jay Morse tha se do të paraqiste prova që flasin për një “paramendim të kthjellët” të rreshterit Bales.

Ushtari akuzohet se është larguar nga baza në rajonin e Panxhauit në orët e para të mëngjesit dhe ka hapur zjarr ndaj civilëve në të paktën dy fshatra, teksa ata flinin. Nëntë nga viktimat ishin fëmijë dhe 11 ishin nga e njëjta familje.

Prokurori Morse deklaroi se i pandehuri kishte konsumuar alkool para se të linte bazën dhe i cilësoi veprimet e tij si “të qëllimshme dhe metodike”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta