Nju Jork, rriten çmimet pas uraganit

06/11/2012 00:00

Prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut ka nisur një hetim në bazë të qindra ankesave që janë bërë për rritjen e çmimeve pas kalimit të uraganit “Sandy”.

Eric Schneiderman deklaroi se pjesa më e madhe e ankesave kishin të bënin me çmimet e karburanteve, por edhe për shërbime të tjera emergjence.

Mbi 1 milion persona në Nju Xhersi dhe Nju Jork janë pa energji elektrike prej një jave. Kostoja e përgjigjes së shtetit ndaj katastrofës llogaritet të jetë rreth 85 milionë dollarë.

Autoritetet deklaruan se kontratat e emergjencës për të riparuar dëmet përfshijnë mbi 30 milionë dollarë për punët në plazhet e qytetit, ndërsa 15 milionë të tjera do të shpenzohen për pajisje pompimi dhe për ujërat e zeza.

Dëmet e shkaktuara nga stuhija kanë penguar përgatitjet për zgjedhjet e së martës, me qindra qendra votimi që mbahen të mbyllura.

Njujorkezët do të mund të votojnë në çdo qendër votimi brenda shtetit, nën një urdhër ekzekutiv të firmosur nga guvernatori Andreë Cuomo.

Ndërkohë, ekziston frika për dëme potenciale që mund të shkaktohen nga një stuhi tjetër me erëra që arrijnë deri në 80 kilometra në orë, të cilat pritet të arrijnë brigjet detare gjatë së martës.

Por një nga detyrat më imediate me të cilën po përballen autoritetet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit është ajo e kthimit të energjisë në 1.4 milion shtëpi dhe biznese që kanë mbetur në terr.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB