Montreal, kryebashkiaku dorëhiqet për korrupsion

06/11/2012 03:34

Gerald Tremblay, 70 vjeç, dha një konferencë për shtyp, ku njoftoi largimin nga jeta publike, pas 25 viteve në politikë.

Një hetim publik i javës së kaluar bëri të ditur se Tremblay ishte prezent në një takim, ku u diskutuan donacione të jashtëligjshme për partinë e tij, Union Montreal.

Pavarësisht dorëheqjes së tij, Tremblay vazhdon të mohojë akuzat ndaj tij.

“Pas 25 viteve në shërbim të komunitetit, po largohem nga jeta publike”, tha Tremblay në konferencën për shtyp. “Babai më kishte thënë, që të mos merresha kurrë me politikë, sepse ajo është e pistë dhe do të më shkatërronte. Por, pasioni im dhe dashuria për Quebec-un dhe Montreal-in vendosën rrugën, që do të duhej të ndiqja”.

Presioni ndaj Tremblay-t është rritur së fundi, pas dëshmisë shkatërruese në hetimin për korrupsion, të njohur si Charbonneau Commission.

Thuhet se Union Montral zhvilloi një skemë të gjerë të financimeve politike, e cila mblodhi kontribute të jashtëligjshme nga firmat e ndërtimit, përkundrejt kontratave të infrastrukturës bashkiake, sipas raportimeve të Toronto Star.

Gjithsesi, nuk ka asnjë të dhënë se Tremblay dyshohet për shkeljen e ligjit, apo faktin nëse është nën hetim nga policia. Tremblay u zgjodh kryebashkiak i Montrealit në 2001.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA