Kinë, biznesmeni britanik ishte spiun

06/11/2012 00:00

Biznesmeni britanik i vrarë në Kinë u siguronte informacione shërbimeve
sekrete britanike, bën të ditur gazeta “Wall Street Journal”.

Neil Heywood kishte qenë në kontakte me një oficer të MI6 në lidhje me politikanin Bo Xilai për të paktën një vit parra se të vdiste, shkruan gazeta.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague deklaroi në prill se zoti Heywood nuk punonte për qeverinë britanike. Çështja shkaktoi një nga skandalet politike më të mëdha në Kinë.

Vdekja e zotit Heywood, në nëntor të vitit 2011, rrënoi figurën e Bo Xilai, ish-shef i një prej degëve të Partisë Komuniste dhe që më parë kishte tentuar për të arritur poste të larta.

Gruaja e Xilai, Gu Kailai, u burgos në muajin gusht për vdekjen e biznesmenit britanik në një hotel, bashkë me një shef policie që dyshohej se ishte përfshirë në këtë skandal.

Vetë zoti Xilai u përjashtua nga parlamenti në muajin shtator, gjë që i hoqi atij imunitetin kundrejt hetimit. Ai akuzohet për abuzim me anë të pushtetit, marrje rryshfeti dhe shkelje të rregullave të partisë dhe do të gjykohet në të ardhmen.

Që atëherë vdekja e zotit Heywood futi Kinën në një krizë të thellë politike dhe nuk vonuan të qarkullonin zërat se ai ishte një spiun.

Duke cituar disa miq të viktimës dhe autoritete britanike, “Wall Street Journal” shkruan se, edhe nëse zoti Heywood nuk ka qenë i punësuar i MI6-ës, ai i ka kaluar disa herë informacione këtij institucioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB