Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se është i gatshëm që të urdhërojë një goditje ndaj Iranit, nëse sanksionet ndërkombëtare nuk do të arrijnë të ndalojnë programin bërthamor.
”Pa dyshim, jam i gatshëm që të shtyp butonin e luftës, nëse kjo do të jetë e nevojshme”, deklaroi Netanyahu në një televizion vendas, duke shtuar se Izraeli kishte kapacitetet e mjaftueshme dhe se është i gatshëm të sulmojë edhe i vetëm.
Qeveria e Tel Avivit, nuk ka arritur të marrë aprovimin e deritanishëm të Uashingtonit, për të realizuar një goditje ndaj reaktorëve bërthamorë të Iranit.
Megjithatë, sipas ekspertëve, Netanyahu vendosi të priste fillimisht rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, me Romneyn që është i preferuari i Izraelit, për retorikën e ashpër anti-iraniane që ka përdorur gjatë fushatës.
Njëkohësisht, parashikohet se Obama mund të jetë më i lirshëm gjatë mandatit të tij të dytë, duke mbështetur kërkesat e Izraelit.
Sipas raportimit të televizionit “Channel Two”, që prej vitit 2010, ushtrisë izraelite i është dhënë urdhër që të përgatisë një plan të detajuar sulmi mbi Iranin dhe ushtria mund të vihet në lëvizje brenda disa orëve pas dhënies së urdhërit.
Në përshkrimin e tij, kanali e cilësoi këtë plan sulmi si “më të detajuarin dhe më të afërtin me një sulm mbi Iranin ndonjëherë”.
Top Channel