Afrikë, hetime për masakrën e minierës

06/11/2012 00:00

Agjentët e policisë në Afrikën e Jugut akuzohen se kanë vendosur armë në afërsi të trupave të minatorëve të vrarë më herët gjatë vitit në minierën e platinit në Marikana.

Fotografitë e bëra nga policia sugjerojnë se thikat e mëdha janë vendosur në afërsi të trupave pasi ata janë qëlluar, tha një avokat që po heton vdekjet.

Të paktën 34 minatorë humbën jetën kur agjentët e policisë hapën zjarr ndaj tyre në muajin gusht, ngjarje kjo që shkaktoi tronditje në mbarë botën.

Ajo ndodhi vetëm pak ditë pas vdekjes së 10 personave, mes të cilëve dy oficerë policie, që ishin goditur me hanxharë deri në vdekje.

Hetuesit po hetojnë të 44 vdekjet, ndërkohë që agjentët e policisë u justifikuan duke thënë se kishin vepruar për vetëmbrojtje.

Hetimi u shoqërua me fotografi që tregonin trupat e minatorëve pas masakrës, që konsiderohet si veprimi më i rëndë i policisë që nga fundi i aparteidit në vitin 1994.

Në një fotografi, një person i vdekur shfaqet i shtrirë në tokë pranë minierës, ndërsa një tjetër, e bërë më vonë gjatë së njëjtës ditë, është identike përveç një hanxhari me dorezë të verdhë që ndodhet poshtë dorës së djathtë të viktimës.

“Provat tregojnë qartë se ka pasur një tentativë të pastër për të devijuar drejtësinë”, ka thënë avokati George Bizos, i cituar nga agjencia e lajmeve “Sapa”.

Ndërsa avokati i një prej policëve tha për të njëjtën agjenci se komisioneri kombëtar i policisë, Riah Phiyega ka nisur një hetim mbi dyshimet e ngritura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB