
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillojë të martën dhe të mërkurën një vizitë zyrtare në Kroaci, me ftesë të homologut vendas Zoran Milanoviç.
Sipas një njoftimi të qeverisë kosovare, gjatë qëndrimit në Zagreb Thaçi, përveç takimit me homologun, do të zhvillojë takime edhe me presidentin Ivo Josipoviç dhe kryetarin e Parlamentit, Josip Leko.
Në qendër të bisedimeve do të jetë bashkëpunimi dypalësh, në veçanti ai ekonomik, si dhe mbështetja e Kroacisë për perspektivën evropiane të Kosovës.
Kroacia vitin e ardhshëm pritet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian.
Javën e kaluar, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton e vlerësoi këtë vend si model stabiliteti që duhet të ndiqet nga vendet e tjera të rajonit që synojnë integrimin në BE.
“Kroacia dhe Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një partneritet të shkëlqyer dhe ne jemi të kënaqur që pas hyrjes në NATO, vendi pas pak do të jetë edhe pjesë e BE-së”, deklaroi Clinton.
Megjithatë, në takimet me autoritetet më të larta të shtetit kroat, shefja e diplomacisë amerikane kërkoi përmirësimin e klimës së biznesit për të favorizuar investimet.
Top Channel