Formatimi i qeverisë nuk është prioritet i partisë shqiptare në pushtet, BDI. Në këtë mënyrë nga kjo parti kanë hedhur poshtë zërat për një formatim të mundëshëm të qeverisë deri në fund të këtij viti, duke theksuar se BDI aktualisht është fokusuar në përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.

Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së, theksoi: “Rifomartimi i qeverisë në këtë moment nuk është prioritet në strukturat dhe organet partiake. Prioritet i joni janë zgjedhjet lokale. Qëllimi ynë është që të mobilizohemi në maksimum për të siguruar rezultatin e duhur të pritur që e dëshiron nga ne çdo shqiptar lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale.”

Nga BDI-ja edhe një herë nënvizuan angazhimin e kësaj partie për tejkalimin e problemeve që ka shkaktuar projekt/ligji për forcat e sigurisë i propozuar nga partia e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski. Me këtë rast, partia shqiptare bëri thirrje për pajtim dhe jo për përçarje.

“Ky ligj është kontrovers sepse është i njëanshëm, përjashtues dhe imponon në mënyrë arbitrare vullnetin e njërit komunitet. Maqedonia ka nevojë për një ligj që trajton dhe ka për qëllim zgjidhjen e të gjithë qytetarëve e që ndërlidhet me konfliktin e vitit 2001, por ky ligj duhet të jetë gjithpërfshirës”, u shpreh Mehmeti.

Sipas BDI-së, projektligji i propozuar nga VMRO-DPMNE-ja rrezikon bashkëjetesën në Maqedoni, andaj parandalimi i miratimi të tij është i domosdoshëm.

Top Channel