
Reforma zgjedhore, e filluar pas marrëveshjes politike Thaçi-Mustafa-Pacolli, ndonëse ishte në përfundim, ka kohë që ka mbetur në vend, pas largimit të LDK-së nga komisioni parlamentar për reformën zgjedhore.
Ende nuk dihet se si do të çohet përpara ky proçes, rrjedha e të cilit ndryshoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës mandati i presidentes Jahjaga është 5-vjeçar, duke përjashtuar mundësinë që ky mandat të ndërpritej ashtu siç ishin pajtuar tre liderët.
PDK ka mbështetur këtë vendim të Kushtetueses dhe tani kërkon që të arrihet një marrëveshje e re ndërmjet liderëve politikë.
“Ne besojmë shumë se liderët politikë do të gjejnë një zgjidhje të mirë, që do të jetë në interes të proçeseve dhe të kemi zhbllokim të këtij proçesi. Prandaj, PDK e mbështet reformën, ka dhënë kontributin e vet dhe është e gatshme edhe për marrëveshje”, ka deklaruar Adem Grabovci, shef i grupit të PDK-së.
Ndërkaq, në Lidhjen Demokratike të Kosovës deklarojnë se nuk kanë ndryshuar qëndrim. Në këtë parti kërkojnë që të respektohet marrëveshja e prillit të 2011-ës.
“Do të kërkojmë deri në fund që partnerët që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje ta respektojnë atë dhe ne dëshirojmë të besojmë se ka sinjale pozitive që do të shkohet drej respektimit të kësaj marrëveshjeje apo rezolute. Por, është në dorën e PDK-së, përkatësisht zotit Thaçi, që të realizohet marrëveshja apo rezoluta apo të ngelet këtu ku është”, ka thënë nga LDK, Ismet Beqiri.
Pas shumë këmbënguljeve që të respektohet marrëveshja politike, në partinë e Behgjet Pacollit, njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes, javë më parë janë shprehur pro idesë që të tejkalohet kjo situatë dhe të gjendet një zgjidhje e re.
Top Channel