Gjykata Supreme greke brenda 2 javëve duhet të marrë një vendim nëse duhet të vendosen nën hetim apo jo ish-ministrat e financave Jorgo Papakonstantinu dhe Evangjelos Venizellos për skandalin e asaj që quhet “Lagarde List”.

Lista Lagarde përmban emrat e biznesmenëve dhe politikanëve grekë që dyshohet se kanë fshehur paratë në bankat zvicerane duke kryer evazion fiskal. Nga vendimi i gjykatës pritet të përcaktohet ngritja ose jo e një komisioni hetimor parlamentar për dy ish ministrat.

Skandali shpërtheu pas botimit në revistën Hot-Doc të kësaj liste e cila i ishte dorëzuar ish ministrit të financiave greke nga Kristine Lagarde, në atë kohë Ministre e Financave e Francës. Botimi tronditi Greqinë dhe gazetari i revistës u vendos nën akuzën e shkeljes së privatësisë. Ai u prangos, por në seancën gjyqësore u shpall i pafajshëm.

Ish-Ministri Papakonstantinu nuk ua ka dorëzuar kurrë atë autoriteteve greke, ndërsa në komisionet parlamentare deklaroi se listë i kish humbur.

Lista me emrat e biznesmenëve, pronarëve të disa mediave dhe politikanëve që fshehin të ardhurat e tyre në Zvicër për t’i shpëtuar barrës së rëndë fiskale në Greqi përmban rreth 2 mijë emra.

Top Channel