
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka hedhur poshtë zërat për hapjen e zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë.
Daçiç ka thënë se nuk është e vërtetë se po mendohet për një gjë të tillë, por sipas tij po shqyrtohet mundësia e vendosjes së lidhjeve mes zyrtarëve të caktuar, për zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe.
“Asnjë zyrë nuk do të hapet. Këtu bëhet fjalë për zyrtarët ndërlidhës, që do të duhet të realizojnë atë për të cilën kemi rënë dakord. Pra, asnjë zyrë nuk është në rend dite dhe as nuk është temë mbi të cilën do të bisedohet”, ka thënë Daçiç për Radio Televizionin e Serbisë.
Ndërkohë, pa dhënë detaje, kryeministri serb ka thënë se qeveria e tij ka propozimin për zgjidhjen finale të problemit të Kosovës, ndonëse është e gatshme të bisedojë edhe për tema të tjera.
“Kemi propozimin për zgjidhjen përfundimtare, por nëse nuk mund të flasim për të, atëherë duhet parë nëse mund të flasim për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka nënvizuar Daçiç.
Ai ka theksuar se qeveria serbe është e gatshme ta zgjidhë problemin e Kosovës pasi nuk dëshiron që atë t’ia lërë brezit të ri, duke shtuar se bisedimet do të zhvillohen pa asnjë presion.
“Ne jemi të gatshëm që këtë çështje mos t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme. Duhet ta zgjidhim problemin e tërësishëm të Kosovës. S’dua të gënjej askënd pasi tani dihet saktësisht se çfarë mund të bëjmë e çfarë jo”, ka shtuar Daçiç.
Top Channel