Partitë e koalicionit qeverisë në Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe BDI pritet që gjatë muajit të ardhshëm të bëjnë ndryshime brenda qeverisë.

Kështu informoi ditën e dielë Agjensia Maqedonase e Lajmeve “INA”, një raportim i përcjellë nga “Telegrafi”.

Sipas të dhënave, bëhet e ditur se kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tashmë janë dakorduar për ndryshime ministrore brenda kabinetit qeveritar.

Ndryshimet do të vijnë pasi që një pjesë e ministrave pritet të jenë kandidatura partiake për zgjedhjet lokale 2013.

Në BDI përfliten dy emra të mundshëm që do të jenë kandidatë për zgjedhjet lokale. Zëvendëskryeministrja për eurointegrime Teuta Arifi konsiderohet si kandidate e mundshme për komunën e Tetovës, ndërsa ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti për kandidat për komunën e Sarajit të Shkupit.

Nga ana tjetër, edhe VMRO-DPMNE planifikon që disa nga ministrat e saj të jenë të përfshirë si kandidatë për komuna. Ndër emrat më të lakuar është ministrja e kulturës, Elizabeta Kanceska dhe ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska.

Gjatë ndryshimeve të pritura qeveritare, dy partitë e koalicionit do të bëjnë rotacione të ministrive, me me BDI-në që do të marrë drejtimin e dy ministrive tjera, duke bërë këmbime me VMRO-DPMNE. Jozyrtarisht, mësohet se BDI do të rikthehet në drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Nga ana e saj, e përditshmja opozitare “Fokus” ka shkruar edhe ajo për ndryshime të tilla qeveritare, duke shtuar se disa prej ministrave aktualë pritet të emërohen së shpejti ambasadorë jashtë Maqedonisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA