Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se gjatë takimit të ardhshëm me homologun e tij serb Ivica Daçiç, i cili pritet të ndodhë gjatë këtij muaji, si platformë do të ketë deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ligjet e Kosovës, si dhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës.
“Platforma ime do të jetë deklarata e pavarësisë së Kosovës, ligjet e Kosovës, rezoluta e Kuvendit të Kosovës, platformë pra e formacionit të Kosovës. Ne do të punojmë për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë në çdo hapësirë të territorit të Kosovës”, ka thënë ai.
Kryeministri Thaçi i bëri këto komente gjatë vizitës së punimeve në rregullimin e shtratit të lumit Mirusha, në Gjilan. Ai falenderoi gjithë spektrin politik kosovar për mirëkuptimin dhe mbështetjen, por edhe të marrjes së përgjegjësive që i takon në bazë të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por edhe të vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Ndërsa si çështje urgjente që kërkohet sipas tij është fillimi apo vazhdimi i implementimit të marrëveshjeve që janë arritur deri më tani në Bruksel.
Top Channel