Zgjedhjet SHBA, papunësia në favor të Obamës

03/11/2012 01:25

Pak ditë larg zgjedhjeve presidenciale, Barak Obama merr një ndihmë të rëndësishme. Siç mësohet nga departamenti i Punësimit, në tetor janë shtuar 171 mijë vende pune, nga 125 mijë të pritshme. Megjithatë, niveli i papunësisë është rritur me 7.9%, nga 7.8% që ishte në shtator.

Papunësia është shndërruar në një nga betejat e republikanit Mit Romni dhe fjala kyç e kësaj fushate presidenciale.

“Rritja e nivelit të papunesisë është një zile alarmi, që tregon se ekonomia ka mbetur në vend. Niveli i papunësisë, sot është më i lartë se kur erdhi në pushtet Barak Obama, teksa ka ende 23 milionë amerikanë, që luftojnë për një vend pune”, tha Romni.

“Ne kemi shënuar progres – iu drejtua Barak Obama përkrahësve në Ohajo, – por duhet të bëjmë edhe më shumë punë”.

Pavarësisht lajmit, presidenti amerikan Barak Obama shkon në votime me nivelin më të lartë të papunësisë se çdo president tjetër, që kërkoi rizgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë, prej kohës së Franklin Roozvelt.

Por në favor të Obamës shkon menaxhimi i situatës pas goditjes së uraganit Sandy. Sondazhi i dytë i kryer nga “Washington Post dhe Ej-Bi-Si Njuz” tregon se 79% e të intervistuarve e cilëson “të mirë”, madje “të shkëlqyer”, punën e bërë nga administrata Obama.

Mes tyre edhe Kris Kristie – guvernatori i Nju Xhersit, shtetit më të goditur nga stuhia dhe një republikanëve më me influence, që ka lavdëruar publikisht presidentin amerikan.

Barak Obama mori edhe mbështetjen e kryebashkiakut të Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, që katër vite më parë vendosi të qëndrojë asnjanës, por pa i kursyer kritikat ndaj presidentit.

Sipas sondazhit, të publikuar më 1 nëntor, të Wall Street Journal, En-Bi-Si Njuz, Obama kryeson ndaj Romnit në tre shtete kryesore; në Ajoua me 6 pikë % (50% me 44%), 3 në Uiskonsin (49% me 46%) dhe 2 pikë (49% me 47%) në Nju Hempshër.

Një tjetër sondazh, po i tyre – i bërë publik një ditë më parë, nxjerr në krye presidentin amerikan edhe në shtetin e Ohajos, 50% me 45%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA