“Autonomia për veriun e Kosovës është një ëndërr e Serbisë, e cila nuk do të realizohet kurrë”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në përgjigje të zërave se ekipi serb në strategjinë e tij ka përfshirë kërkesën për autonominë substanciale për pjesën veriore.
Këto komente Thaçi i bëri gjatë inspektimit të punimeve përfundimtare në seksionin e 5-të të autostradës Vermicë-Merdare.
“Kjo ka qenë një ëndër e kahmotshme e Serbisë që nuk do të realizohet kurrë pasi përgjigjen e ka marrë nga gjithë bota demokratike. Ajo ide e propozuar në mediat serbe do të jetë e parealizueshme në Kosovë”, deklaroi Thaçi.
Duke folur për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova”, kryeministri Thaçi tha se projekti i ëndrrave të qytetarëve të Kosovës po bëhet realitet. Ai paralajmëroi sërish ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.
“Do të punojmë deri në fazën e rëndësishme që të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup dhe kam besim të plotë se së bashku do ta ndryshojmë Kosovën dhe do ta bëjmë atë ashtu si secili nga ne dëshiron”, u shpreh Thaçi.
Autoritetet kosovare konfirmuan se punimet në segmentin e pestë që lidh magjistralen Prishtinë-Pejë do të përfundojnë këtë vit dhe më 27 nëntor do të pritet shiriti ceremonial.
Sipas përfaqësuesve të kompanisë “Bechtel Enka”, në seksionin e radhës në drejtim të Prishtinës pritet të punohet vitin e ardhshëm.
Top Channel