Organizata e Kombeve të Bashkuara cilëson si provë për krime lufte videon, ku kryengritësit siriane qëllojne dhe vrasin ushtarë dhe milicë pro-qeveritare. Aty shihen persona të armatosur që rrahin robërit të shtrirë në dysheme dhe më pas i qëllojnë ata pa mëshirë.
Deri tani, asnjë grup nuk ka marrë përsipër vrasjet. Megjithatë Abu Abdul Rahim, kryengritës nga provinca e Idlibit, tha për gazetën britanike “The Guardian”, se është një grup salafisto-xhihadist autori i tyre, që sipas tij kanë ndodhur në Al Nairab, në perëndim të Sarakebit.
Rahim tha se salafistët e brigadës Davud (Daëood) dhe Sukur Al Sham nuk janë të lidhur me Ushtrinë e Lirë Siriane. Për muaj të tërë, aktivistët kanë raportuar vrasje të ngjashme nga forcat pro-qeveritare.
Sipas raportimeve – ende të pakonfirmuara – ushtria ka braktisur të gjitha bazat në qytetin strategjik të Sarakebit (Saraqebit). Qyteti ndodhet pranë dy autostradave të rëndësishme; njëra që lidh Damaskun me Alepin dhe tjetra që lidh këtë të fundit me Latakian.
Rupert Kolville, i Komisionit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, tha se “viktimat nuk ngjajnë si kryengritës dhe – në këtë pikë – ngjan se kemi të bëjmë me një krim lufte”.
Sipas tij, nëse vërtetohet origjinaliteti i videos, atëherë, ajo do të shërbejë në hetimet e ardhshme. Grupi i të drejtave të njeriut “Amnesty International”, përmes një deklarate, tha: “Pamjet shokuese tregojnë një krim lufte si dhe dëshmojnë mungesën e respektit për ligjin ndërkombetar”.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, paralajmëroi – më herët – ekstremistët islamikë, të cilët – sipas saj – po përpiqen të mbajnë peng revolucionin sirian. Deklarata e kryediplomates amerikane revoltoi, jo pak, disa prej udhëheqësve të opozitës siriane, sipas të cilëve, bota nuk po përkrah kryengritjen, duke i lënë kësisoj rrugë të hapur radikalëve”.
Ushtria vazhdon ofensivën në të gjithë vendin. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me qendër në Britaninë e Madhe, raportoi për mbi 150 viktima; 70 ushtarë, 43 civilë dhe 38 kryengritës.
Në një tjetër zhvillim, Liga Arabe njoftoi për takimin që do të zhvillohet të djelën, mes Ministrit të Jashtëm rus Sergei Llavrov, të dërguarit ndërkombëtar Lakdar Brahimi dhe sekretarit të përgjithshëm të Ligës Arabe, Nabil Al Arabi.
Top Channel