Kryengritësit në Siri kanë lëshuar një ofensivë madhore për të pushtuar një bazë ajrore, me një rendësi thelbësore strategjike për ushtrinë e rregullt të Presidentit Bashar al-Assad.
Një video e publikuar të shtunën në internet tregoi se disa divisione ushtarësh janë duke mësyrë drejt Taftanazit, në një përpjekje për të shtënë në dorë zonën e ndërmjetme midis dy qendrave kryesore të vendit, kryeqytetit Damask dhe kryeqendrës ekonomike të vendit, Aleppo, në veri.
Mësymja regjistrohet një ditë përpara një takimi të shumëpritur të liderave të opozitës në Doha, Katar, ku do të synohet rakordimi i një qëndrimi të vetëm në luftën kundër Assad.
Aktualisht, sulmit të Taftanazit, autoritetet i janë përgjigjur me zjarr, por gjendja është e paqartë, ndërsa rebelët po sulmojnë njëkohësisht në pesë drejtime të ndryshme, në atë që duket se është një operacion i koordinuar mirë dhe i planifikuar prej kohësh.
Nga baza në fjalë, forcat qeveritare kanë bombarduar vazhdimisht pozicionet e kryengritësve në vend.
Sulmi mbi bazën ajrore vjen një ditë pasi OKB dhe “Amnesty International” denoncuan krimet e luftës së realizuara prej kryengritësve, në operacionet kundër ushtrisë së rregullt.
Lufta civile në Siri, e nisur në mars 2011, i ka kushtuar jetën deri tani më shumë se 36 mijë personave.
Top Channel