Një minutë heshje për viktimat e uraganit “Sandy” nuk qetësoi pasionin politik të ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i cili gjatë një fushate zgjedhore në Ohajo përkrah Mitt Romney dhe kandidatit për zëvendëspresident, Paul Ryan, deklaroi se presidenti Obama duhet të kishte dhënë dorëheqjen përpara disa kohësh.
”Obama duhet të ishte dorëhequr kohë më parë, për dështimet e njëpasnjëshme që amerikanët kanë përjetuar gjatë administratës së tij”, nisi fjalimin e tij të ashpër Giulani, i eliminuar në garën e republikanëve për të sfiduar Obamën në vitin 2008 nga John McCain, më pas kandidati humbës i atyre zgjedhjeve.
”Të dhënat e fundit tregojnë se papunësia është rritur në 7,9%. Kjo do të thotë se ka më shumë të papunë sot, sesa në momentin kur Obama mori detyrën dhe për këtë, administrata aktuale duhet të ndihet e turpëruar, ashtu si edhe për shumë çështje të tjera”, akuzoi Giuliani, i cili u ndal gjerësisht tek “paaftësia” e autoriteteve, në paralandalimin e sulmit mbi konsullatën në Libi, që solli edhe vrasjen e ambasadorit Christopher Stevens.
Deklaratat e ish-kryebashkiakut erdhën pasi të premten, Departamenti i Punës publikoi shifrat e fundit për papunësinë, të cilat u interpretuan në mënyra të ndryshme nga secilit prej kandidatëve.
Ndërsa 171 mijë vende të reja pune u krijuan në tetor, më shumë nga sa ishte parashikuar prej ekonomistëve, papunësia gjithashtu u rrit, si rrjedhojë e më shumë personave të rifutur në tregun e punës, duke nisur intensivisht kërkimet e tyre për punësim.
Një person duhet të jetë në moshë aktive dhe të kërkojë aktivisht për punësimin, në mënyrë që të klasifikohet si i papunë.
Top Channel