Gana është përfshirë nga protesta masive, pas miratimit në fshehtësi të një ligji që rrit pagat e presidentit, ministrit, deputetëve dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të vendit.
Një muaj më parë, presidenti John Dramani Mahama, gjatë një seance parlamentare të patransmetuar nga mediat, propozoi ligjin e miratuar në një kohë rekord nga parlamenti.
Në bazë të ligjit, rritja do të llogaritet që nga viti 2009, me të gjithë funksionarët që përveç rrogës së tyre të shtuar, do të marrin edhe një bonus, diferencën 4-vjeçare midis pagës së re dhe asaj të mëparshme.
Një vendim i tillë dhe mënyra se si ai u zbulua, vetëm një muaj pasi ligji ishte miratuar, ngjalli një debat të madh në vendin afrikan dhe protesta të përhapura të shoqërisë civile.
Ndonëse një vend me standart të ulët jetese, ku një pjesë e madhe e popullsisë jeton në kushtet e mbijetesës dhe varfërisë ekstreme, funksionarët ganezë kanë paga të krahasueshme me ato të homologëve të tyrë të vendeve më të zhvilluara.
Në bazë të ligjit të miratuar, paga e presidentit shkon në 6 400 dollarë nga 4 240 që ishte, plus dieta dhe privimin nga taksat.
Ministrat do të paguhen rreth 4 800 dollarë, ndërsa një deputet 3 800 dollarë.
Paga minimale në vendin afrikan është 75 dollarë, ndërsa shumica e popullsisë paguhen 100-200 dollarë në muaj.
Top Channel