Me rastin e çeljes së aktiviteteve për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Maqedoni, një pjesë e fasadës së godinës së Ambasadës shqiptare në Shkup është mbuluar nga një flamur i madh kombëtar.
Ambasadori shqiptar në Maqedoni, Arben Cejku, paralajmëroi se aktivitetet për shënimin e këtij përvjetori do të jenë të shumta, ndërsa tha se në frymë të festimeve janë edhe zërat për një koalicion ndër-shqiptar në zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoni.
Ai ka mirëpritur vendimin e PDSH-së për të përkrahur kandidatin e BDI-së për Kërcovën, komunë kjo e cila vitin e ardhshëm, për herë të parë, mund të kalojë nën udhëheqje të një kuadri shqiptar.
“Koalicioni më i dukshëm deri më tani është koalicioni i festimeve, kemi një koalicion mbarëshqiptar në nderimin e flamurit dhe në nderim të datës së pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ka krijuar edhe një dimension tjetër për dialog ndërpolitik dhe, në vazhdishmësi, ne mbështesim të gjitha përpjekjet që bëhen për promovimin e vlerave të demokracisë dhe për mbrotjen e statusit të shqiptarëve të Maqedonisë, për avancimin e të drejtave të tyre”, u shpreh Arben Cejku, ambasador i Shqipërisë në Maqedoni.
Cejku ka njoftuar gjithashtu se më 25 nëntor, në Shkup, do të mbahet një manifestim i madh kushtuar pavarësisë së Shqipërisë, ku do të jenë prezent edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe ai kosovar, Hashim Thaçi.
Top Channel