Preshevarët i qeshën 100-vjetorit të Pavarësisë. Festivali i Komedisë ka mbledhur, për herë të dytë në teatrin e Preshevës, trupa teatrore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Shfaqje të ndryshme, për një javë, do të shënojnë edhe përvjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar.

Megjithatë, Presheva nuk ka mbështetje nga politikat kulturore të vendeve të tjera dhe festivalin e ka ndihmuar buxheti i Serbisë. Organizatorët dhe pjesëmarrësit thonë se festivali ka sjellë emocionet e veta.

Naser Nuredini, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, Preshevë: “Të organizojë Presheva një festival, ku bashkon Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën në këtë 100-vjetor, është vetëm nga kënaqësia dhe vullneti i çeliktë. Ndërsa vështirësitë janë si të anës materiale, ashtu edhe lëvizja e lirë me të cilën ne vazhdimisht kemi problem, në mënyrë që ta mbajmë vazhdimësinë e festivalit të Preshevë”.

Rozi Kostani, anëtare e Jurisë: “Jam shumë e surprizuar nga ardhja në Preshevë, sepse përveç atmosferës së festivalit, me të cilën unë jam mësuar edhe në vende të tjera, këtu është shumë e veçantë, sepse jemi në një territor shqiptar, por në Serbi. Më bën shumë përshtypje publiku, pjesëmarrësit, ka një frymë tjetër dhe mua më duket si një kontribut më tepër. Më pëlqen që jam këtu, sepse po jap kontribut në këtë festival për ta mbështetur”.

Buqe Berisha, Regjisore: “Është një sukses mjaft i madh i Preshevës, që në këto rrethana aktuale, arrin të mbledhë të gjitha trupat nga të gjitha trevat shqiptare, për më tepër në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke qenë një e pritëse e festivalit të komedisë”.

Limon Muçaj, aktor nga Kosova: “Të shpresojmë që nga viti në vit ky festival i komedisë të marrë formën e vet që duhet të ketë, si nga të gjithë njerëzit profesionistë, aktorët, regjisorët, skenografët, etj. Kështu që shikuesi është i mirë, madje i mrekullueshëm në këtë vend, ndaj dhe më ka lënë përshtypje shumë të mira për këtë qytet”.

Teuta Krasniqi, aktore nga Kosova: “Edhe pse rruga ishte e gjatë, me disa pritje më të gjata, ja vlejti gjithçka, sepse publiku ishte shumë i mirë, e pritën mirë shfaqjen dhe kaluam më së miri”.

Ditët e Komedisë Shqiptare është një nga ngjarjet e vetme, që ndodhin në qytetet shqiptare në jug të Serbisë, dhe kjo ka treguar se më shumë u afrohen shqiptarët e këtyre zonave, se sa që marrin ftesa nga  trevat shqiptare”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA