Deputetetët maqedonas të VMRO-DPMNE-së po tentojnë të kufizojnë debatin parlemantar në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale mbi 15 mijë amandamentet e propozuara nga deputetët e BDI-së, që kanë të bëjnë me projektligjin për forcat maqedonase të sigurisë.

Propozuesi i draftit, deputeti Vele Georgievski ka parashtruar para komisionit pesë propozime me të cilat kërkohet kufizimi i diskutimeve mbi projekligjin problematik.

”VMRO-DPMNE, si parti politike, në asnjë moment nuk tërhiqet nga qëndrimi se ligji për forcat e sigurisë duhet të miratohet. Propozimet tona janë legjitime dhe pamundësojnë tejzgjatjen e debatit zvarritjen e miratimit të ligjit”, deklaroi Georgievski.

Ndaj kërkesave të VMRO-së kanë reaguar ashpër deputetët e BDI-së. Ata thanë se kërkesat e këtilla janë antidemokratike dhe rrezikojnë vendosjen e diktaturës në kuvend.

”Duke parë tendencës e sotme, aq shumë të rrezikshme që demokracia në vendin tonë të perceptohet në mënyrë aq të pakuptimtë sa që dikush mendon se ajo ka shenja të barazimit me diktaturën”, akuzoi deputeti Llabenishta.

Edhe PDSH-ja kundërshtoi propozimin e VMRO-s për kufizimin e fjalimeve, ndërsa kritikoi BDI-në që amendamentet për draftin i ka dorëzuar në Kuvend vetëm në gjuhën maqedonase dhe jo edhe në shqip.

Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së tha: “Kjo është edhe një dëshmi se gjuha shqipe nuk është zyrtare. Të gjitha këto pako janë të mbushura me amandamente në gjuhën maqedonase. Dëgjova me vëmendje kur ju flisnit për diktaturë dhe kufizime nga partneri i koalicionit. Të nderuar koleg të BDI-së shqiptarët këto kufizime cdo ditë i përjetojnë nga puna e kësaj qeveria”.

Në fillim të seances, deputetët maqedonas votuan dhe hodhën poshtë kërkesën e PDSH-së për të hequr nga rendi i ditës ligjin për forcat maqedonase të sigurisë.

Top Channel