Një grup ambientalistësh zviceranë mblodhën një numër të mjaftueshëm firmash për të kërkuar mbajtjen e një referendumi kombëtar me qëllim kufizimin e emigracionit.
Grupi mjedisor “Ecopop” vlerëson se resurset natyrore dhe niveli i jetesës së Zvicrës po vendoset nën presion të vazhdueshëm si rrjedhojë e mbipopullimit.
Kërkesa e ambientalistëve është që numri i shtimit të popullsisë së emigrantëve në një vit të kufizohet në 0,2% dhe reduktimin e fondeve për këtë kategori, në mënyrë që paratë që kursehen të mbështesin politikat e planifikimit familjar dhe kontrollimit të popullsisë.
Zvicra ka një popullsi prej tetë milionë banorësh, çereku i të cilëve janë emigrantë ose zviceranë të natyralizuar.
Peticioni i “Ecopop” grumbulloi 120 700 firma, duke kaluar lehtësisht kufirin ligjor të 100 mijë firmave.
Në bazë të ligjit zviceran për demokracinë e drejtëpërdrejtë, referendumet mbahen deri katër herë në vit, për çështje nga më të ndryshmet.
Top Channel