Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e kabinetit të tij e
ka cilësuar si shumë të fuqishëm mesazhin që sekretarja Clinton dhe
baronesha Ashton dhanë në Kosovë.

Thaçi ka vlerësuar se një mesazh i përmasave të tilla ka qenë i nevojshëm për Kosovën, perspektivën e saj, si dhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Thaçi është shprehur se, fjalët emblematike të sekretares Clinton për progresin e Kosovës përbëjnë një shembull për vendet e dala nga lufta dhe inkurajim për vetë Kosovën.

“Mesazhet mbështetëse, unike dhe të fuqishme për Kosovën nga baronesha Ashton dhe sekretarja Clinton janë mesazhe për qytetarët e Kosovës, për politikën e Kosovës, për shtetin e Kosovës, për Kosovën e re, për Kosovën evropiane, për Kosovën e nesërme, anëtare të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar Thaçi.

Në emër të qeverisë së tij dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, kreu i ekzekutivit ka falenderuar dy zyrtaret e larta të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për mesazhet e tyre.

Më tej, Thaçi ka komentuar edhe qëndrimet e fraksioneve të caktuara politike që refuzojnë proçesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Po mundohem t’i kuptoj ata që refuzojnë këtë proçes, në fund të të cilit do të ndodhë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Thaçi.

Ai ka shtuar se, ditën e enjte në Parlament u zhvillua një debat shumë konstruktiv lidhur me takimin e tij me homologun Ivica Daçiç, takim që shënoi fillimin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Top Channel