Okinaua, Japonia proteston ndaj SHBA

02/11/2012 00:00

Japonia ka protestuar ndaj Shteteve të Bashkuara pas përfshirjes në një incident të një ushtari amerikan në Okinaua.

Ushtari amerikan raportohet se ka hyrë në një apartament mbi një bar dhe ka rrahur një djalë adoleshent. Më pas, në gjendje të dehur, ai ka rënë nga dritarja dhe është dërguar në spital.

Ministria japoneze e Jashtme ka bërë një ankesë tek i dërguari i Shteteve të Bashkuara, John Roos, bën të ditur agjencia e lajmeve “Kyodo”.

Ngjarja ndodh në një moment kur të gjitha trupat amerikane në Japoni janë nën një shtetrrethim që aplikohet gjatë orëve të natës, masë kjo e marrë pas regjistrimit të një dhunimi.

Amerika ka rreth 26 mijë trupa të vendosura në bazën e Okinauas, ku krimet e kryera nga to janë kthyer në një burim të vazhdueshëm tensioni.

Mediat lokale raportojnë se ushtari, i cili kishte qenë në gjendje të dehur, goditi djalin 13-vjeçar pasi hyri në dhomën e tij.

“Ushtria amerikane po bashkëpunon plotësisht me autoritetet e Okinauas për të hetuar ngjarjen dhe për të vënë drejtësi”, deklaroi për “Associated Press” koloneli Brian McDaniel.

Dy marinarë amerikanë u arrestuan muajin e kaluar në Okinaua nën dyshimin se kishin dhunuar një grua japoneze, ngjarje kjo që shkaktoi protesta të gjera nga popullsia vendase.

Për rrjedhojë, parlamenti i Okinauas miratoi unanimisht një rezolutë që dënon dhunimin dhe u bën thirrje autoriteteve amerikane që të parandalojnë krimet ndaj banorëve të ishullit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA