OKB, thirrje Kinës për Tibetin

02/11/2012 16:20

Një prej drejtueseve më të larta të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje Kinës që të angazhohet fuqimisht për zgjidhjen e çështjes së Tibetit, pasi protestat e murgjeve budistë dhe tibetianëve të tjerë kanë regjistruar dhjetëra forma ekstreme vetflijimesh apo vetgjymtimesh.

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, tërhoqi vëmendjen dhe theksoi se “vetflijimet janë të papranueshme, aq më tepër në një shkallë të tillë kaq të përhapur”.

Ajo i kërkoi autoriteteve kineze që të heqin dorë nga kokëfortësia e tyre dhe të ulen në tryezë, për të negociuar për një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët.

Të paktën 60 tibetianë i kanë vënë flakën vetes së fundmi në protestat kundër Pekinit, në kërkesat e tyre për më shumë autonomi dhe liri fetare.

Pekini i ka hedhur poshtë këto akuza dhe pretendon se tibetianët gëzojnë liri të plotë fetare.

Dalai Lama, babai shpirtëror i tibetianëve prej kohësh ka ngritur shqetëismin e vetflijimeve dhe lirisë fetare, por ai është shpallur prej kohësh “non grata” prej Pekinit, që e konsideron si atë si udhëheqës të një lëvizje separatiste.

Tibeti, një rajon malor në kufinë me Indinë, gëzon gjuhë, tradita dhe veçori kulturore shumë të ndryshme nga ato të pjesës së tjetër të Kinës, por pavarësisht kësaj, konsiderohet prej Pekinit si “pjesë e përhershme mijëravjeçare” e shtetit kinez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA