
Kosova dhe Serbia pritet të arrijnë shumë shpejt marrëveshjen për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd.
Burime nga qeveria deklarojnë se një gjë e tillë mund të ndodhë të mërkurën e ardhshme, kur Thaçi dhe Daçiç të takohen për të dytën herë në Bruksel.
Sipas burimeve, mundësia që Thaçi dhe Daçiç të bien dakord për hapjen e zyrave në të dy kryeqytetet është e madhe, duke parë gatishmërinë e liderëve të të dyjave vendeve për arritjen e marrëveshjeve të vështira.
“Hapjen e zyrave ndërlidhëse e kanë kërkuar edhe sekretarja Clinton dhe baronesha Ashton gjatë takimeve që kanë pasur me Daçiç në Beograd dhe me Thaçin në Prishtinë”, kanë thënë burimet.
Një ditë më parë, teksa raportonte në Kuvend për takimin e muajit të kaluar me homologun serb, kryeministri Thaçi deklaroi se, pavarësisht se Kosova nuk mund t’i harrojë tmerret e Serbisë, dialogu është i domosdoshëm për të zgjidhur problemet.
“Nuk më ka marrë malli të flas me Daçiç, por jam thellësisht i bindur se dialogu do të na çojë në një përfundim logjik, që do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB”, tha Thaçi.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri Daçiç tha të enjten se Serbia është e gatshme për zgjidhje finale dhe theksoi se ai personalisht është i gatshëm që në Bruksel me Thaçin të bisedojë për tema të vështira.
“Me siguri është zakon që të nisemi nga temat më të lehta, por nuk ikim nga bisedimet mbi temat më të vështira. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë jo vetëm mbi energjinë elektrike dhe telefoninë, por edhe për zgjidhjen përfundimtare”, përsëriti Daçiç.
Top Channel