Një gjykatë në Athinë e ka nxjerrë të pafajshëm gazetarin grek, Kostas Vaksevanis, që akuzohej se kishte thyer ligjin për privatësinë, duke publikuar një listë me emrat e 2000 grekëve, që kishin llogari në bankat zviceriane.

Bëhet fjalë për një listë, ku midis të tjerëve kishte edhe emra të elitës politike dhe asaj të biznesit të vendit, e cila i ishte dorëzuar ish-ministrit grek të Financave, Jorgos Papakostandinu, nga homologia e tij franceze në vitin 2010, Kristine Legard, por që më pas, as ai dhe as pasardhësi i tij, Evangjelos Venizellos, nuk ua kanë dhënë organeve përkatëse, që të hetonin nëse bëhej fjalë për evazion fiskal.

Nga salla e gjyqit, gazetari në fjalë ka deklaruar se publikimi i një emri dhe lidhja e tij me një bankë nuk është e dhënë personale por publike, pasi të gjitha shkëmbimet bankare, kur kryhen, janë të dukshme, ndërsa ka theksuar se ka bërë vetëm detyrën e tij.

“Gazetaria është për të zbuluar të vërtetën, kur të tjerët përpiqen për ta fshehur atë, çdo gjë tjetër është marrëdhënie me publikun”, u shpreh gazetari Kostas Vaksevanis.

Përveç dhjetra gazetarëve vendas në mbështetje të Vaksevanis, që është përkrahur nga mediat më në zë të shtypit të huaj, kishte mbërritur në Athinë edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të gazetarëve, Jim Bumelha.

“Ne jemi të gjithë të habitur, me atë që ka ndodhur javën e kaluar dhe kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu për të dëshmuar, në mënyrë që të zbulohet kjo farsë absurde, e cila nuk ndodh në shumë vende dhe për këtë arsye Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve ka kërkuar të rrëzohen akuzat”, tha Jim Boumelha, president i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.

Gjyqi është ndjekur me interes të madh edhe nga mijëra njerëz të thjeshtë, pasi opinioni publik në Greqi konsideron fajtore për gjendjen e vendit gjeneratën e politikanëve të dekadave të fundit.

Madje partia opozitare e Radikalëve të Majtë, përfaqësues të të cilëve ndodheshin edhe në seancën e gjyqit, kanë deklaruar se arrestimi dhe gjyqi i gazetarit janë një përpjekje për të mbrojtur një oligarki politike dhe ekonomike, ndërkohë që populli është gjunjëzuar nga masat e rrepta të kursimit.

Ndërkohë që autoritetet greke thonë se nuk ka prova që 2056 personat në listë kanë kryer evazion fiskal , Vaksevanis ka thënë se shqetësimi më i madh është përpjekja për të mos u gjykuar ata që kanë fshehur listën, duke aluduar për ministrat e Financave, Jorgos Papakonstandinu dhe Evangjelos Venizellos, që me veprimet e tyre krijuan dyshime tek opinioni publik, se në këtë rast kanë mbrojtur interesa të caktuara politike dhe ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA