Ekonomi, “Europa mban peng botën”

02/11/2012 16:10

Ndërsa dy ekonomitë më të mëdha botërore, ajo kineze dhe amerikane janë duke treguar shenja rritje, vendet europiane vazhdojnë të ndiejnë thellë pasojën e krizës së borxheve dhe të monedhës euro, duke kërcënuar kështu rritjen në mbarë botën.

Në një editorial të rrjetit amerikan “CNN”, ditën e premte, argumentohej se pavarësisht rritjes së pandalshme të ekonomisë kineze dhe zhvillimeve pozitive në SHBA, ekonomia më e madhe në botë nëse merret si një e vetme, ajo europiane, po frenon rritjen në të gjithë vendet, duke kërcënuar me stanjacion ose recesion shumë vende të tjera të planetit.

”Kriza e Eurozonës është ende larg zgjidhjes”, deklaroi Kevin Dunning, një ekspert ekonomik në Londër. “Në momentin kur ky recesion do të përfundojë, Europa do të përballet me faktin se nuk është më atje ku ka qenë dhe se përpara se të mendojë për rritje, duhet të bëjë të mundur që të rikthehet atje ku ishte”.

Banka Qendrore Europiane ka marrë disa masa për të qetësuar tregjet e lëkundura financiare, por ekonomistët presin që vendet europiane të vazhdojnë të vuajnë efektet e krizës edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, papunësia mesatare e 27 vendeve të BE-së u rrit me 11,6% në tetor, me sektorin industrial që pësoi një rënie për të 15-tin muaj radhazi.

”Situata e Eurozonës mbetet e pazgjidhur”, deklaroi Sara Johnson, drejtoresha e “IHS Global Insight”. “Në këtë situatë ndikon edhe fakti se adoptimi i një ligji për bashkimin fiskal dhe bankar po vonon”.

Përveç Europës, ekonomia botërore po kërcënohet edhe nga recesioni i ekonomisë së tretë më të madhe të planetit, ajo japoneze, e cila është gjithashtu duke u përballur me recesion dhe probleme të shumta, që ndikojnë në rënien e transaksioneve dhe shkëmbimit tregëtar pothuajse kudo”.

Top Channel