Në mënyrë indirekte, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi konfirmoi në Kuvendin e Kosovës se janë përgjuar telefonat e lëvizjes Vetëvendosje në ditën e protestës kundër bisedimeve politike me Serbinë.
I pyetur nga deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për nenin 31 të ligjit për policinë, i cili ndalon këtë të fundit të mbledhë e të ruajë informata për personat që kanë të bëjnë me bindjen politike, fetare e filozofike, ministri Rexhepi tha se njësitet e inteligjencës marrin informata vetëm për ato çështje që ndikojnë në prishjen e rendit publik.
Debati mes deputetes Haxhiu dhe ministrit Rexhepi vazhdoi edhe për faktin se policia e Kosovës, në strukturën e saj ka edhe departamentin e inteligjencës.
Pyetja e deputetes së Vetëvendosjes ishte nëse për këtë është e informuar Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Presidenca dhe komisioni parlamentar për siguri.
Ministri Rexhepi konfirmoi se ky njësit ekziston brenda departamentit të hetimeve dhe se oficerë të tij nuk duhet të ngatërrohen me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Sipas tij, qasja më e re e policisë shte ajo e udhëhequr nga inteligjenca.
Ministri shtoi se derisa në të kaluarën policia ka qenë vetëm vepruese, tani është vetë pranuese e informatave dhe në këtë mënyrë parandalon situata të padëshirueshme.
Top Channel