
Përsëri protesta në Prishtinë. Edhe këtë herë qëllimi i tyre është kundërshtimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të bashkuar rreth nismës “Drejtësi dhe Dinjitet para Negociatave”, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës paralajmëroi protestën të shtunën duke filluar nga ora 11 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Organizatorët paralajmëruan se do të vishen me të kuqe për të përfaqësuar gjakun që është derdhur nga dhuna direkte e Serbisë, ndërsa kanë bërë të ditur kërkesat kryesore, pa plotësimin e të cilave qeveria e Kosovës nuk duhet të bisedojë me Serbinë.
Ato janë: Identifikimin dhe kthimin e të gjithë personave të pagjetur; publikisht të kërkohet falje nga qeveria serbe për dhunën e ushtruar kundër popullit të Kosovës gjatë viteve 1990 e më tej, përfshirë dhunimet gjatë luftës; kompensim për kursimet jetësore dhe gjithashtu për pronat e vjedhura dhe të shkatërruara nga shteti serb.
Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, çfarëdo negocimi me Serbinë është i papranueshëm, ka thënë GGK, duke shtuar se, këto janë kërkesa legjitime të një populli ndaj të cilit është ushtruar genocid.
“Dinjiteti njerëzor dhe shtetëror është parakusht i domosdoshëm për të hyrë në proçese negociuese me Serbinë”, thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës.
Protesta është paralajmëruar se do të jetë paqësore, ndërkohë që ajo është përkrahur edhe nga organizata të tjera dhe lëvizja Vetëvendosje.
Top Channel