Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka informuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për takimin me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, më 19 tetor, ndërsa zgjodhi foltoren e Kuvendit për të paralajmëruar një tjetër takim të ngjashëm.

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura më herët në dialogun teknik; zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit; zhbërja e strukturave paralele serbe, që veprojnë në Kosovë; mospengimi i Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare – ishin disa nga temat, që sipas kryeministrit Thaçi, janë diskutuar në takimin e tij me kryeministrin serb.

Edhe për hapjen e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas është diskutuar në këtë takim, të zhvilluar në zyrën e Shefes së Diplomacisë Europiane, Ashton, dhe sipas kryeministrit të Kosovës, ky dialog nuk do të rrezikojë në asnjë rrethanë sovranitetin e Kosovës.

“Është fakt i pamohueshëm për të dy palët se dialogu është për zgjidhjen e çështjeve që nuk janë statusore dhe as që rrezikojnë në asnjë rrethanë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. “Nuk më ka marrë malli të flas me Daçiç, por jam thellësisht i bindur se dialogu do të na çojë në një përfundim logjik, që do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Informimi i Kuvendit për këtë takim është mbështetur edhe nga deputetët e dy partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së, të cilat i kanë dhënë mbështetje proçesit të normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa kanë mbrojtur qëndrimin se, në asnjë rrethanë nuk duhet të shkelet Kushtetuta e Kosovës.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e ka quajtur takimin si kriminal, pasi kryeministri serb Daçiç ka qenë zëdhënës i Millosheviçit, kurse kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ka thënë se pasoja kryesore historike do të jetë kushtëzimi i bashkimit me Shqipërinë me humbjen e veriut.

“Pas disa viteve, të gjitha subjekteve që janë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do t’iu thuhet: Po në rregull, kjo punë edhe bëhet, por duhet ta kuptoni se kështu humbet veriu, sepse veriu do ta ketë të etabluar autonominë atje”, u shpreh Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes.

Kjo është hera e parë, që kryeministri i Kosovës informon Kuvendin, ndërsa shprehu gatishmërinë se edhe pas zhvillimeve të tjera do të vijë sërish në Kuvend. Ai paralajmëroi, pa dhënë shumë detaje, se takimi i ardhshëm mund të ndodhë gjatë këtij muaji.

Top Channel