
Rruga e Kombit në pjesën e Republikës së Kosovës bëhet me njësi të veçantë patrulluese të policisë kosovare.
Autoritetet policore njoftuan këtë të enjte për themelimin e njësisë së veçantë policore për autostradë. Shef i kësaj njësie është kapiten Skënder Krasniqi.
Ai bëri të ditur se kjo njësi policore do të merret ekskluzivisht me menaxhimin e sigurisë në komunikacionin rrugor në autostradën nacionale.
Po kështu, në rast të aksidenteve në komunikacion do të bëhet tërheqja e automjeteve në mënyrë që të mos bllokohet qarkullimi.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj autostrade, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të bërë patrullimin dhe kontrollimin e autostradës. Të gjithë policët të cilët janë pjesë e kësaj njësie, fillimisht u janë nënshtruar shumë testeve dhe trajnimeve të nevojshme të cilat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, deklaroi Krasniqi.
Në përbërje të njësisë policore për autostradën janë 28 zyrtarë të policisë, 4 prej të cilëve janë staf civil. Ata do të bëjnë patrullimin kryesisht nga rajoni i Sllatinës.
Sipas burimeve zyrtare, kjo njësi ka kryer trajnimin baze dhe ka kryer trajnimet e duhura dhe të nevojshme për ta menaxhuar autostradën.
Top Channel