
Dy automjete private, njëra tip “Fiat Tipo”, ngjyrë hiri e pa targa dhe një tjetër tip “Zastava 101”, ngjyrë e verdhë, me targa “KM”, janë djegur si rezultat i zjarrvënies së qëllimshme me një substance ndezëse.
Policia e Kosovës njofton se rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth 40 minuta pas mesnatës, në rrugën “Llolle Ribara” në veri të Mitrovicës.
Njësitë policore të cilat kanë shkuar në vendngjarje kanë konstatuar se persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjeteve me ndihmë të substancës ndezëse, që besohet të jetë benzinë.
Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar në të dyja automjetet, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.
Hetuesit policorë dhe teknikët e kriminalistikës të cilët kanë bërë këqyrjen dhe mbledhjen e provave materiale nga vendi i ngjarjes, kanë vlerësuar se të dyshuarit mund të kenë përdorur një sasi të benzinës të hedhur sipër në pjesën e parme dhe të pasme të automjeteve për t’i vënë zjarrin.
Gjithashtu, në vendngjarje është gjetur një shishe plastike me përmbajtje benzine, e cila është marrë si pjesë e provave materiale që do t’i nënshtrohet proçesit të ekzaminimit të mëtejshëm.
Zyrtarët policorë kanë kontaktuar pronarin e automjetit, një 61-vjeçar i përkatësisë etnike serbe, i cili është marrë në pyetje nga hetuesit.
Motivet e këtij akti kriminal, si dhe autorët e tij deri më tani mbeten të panjohur për hetuesit. Policia e Kosovës e ka regjistruar rastin si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Top Channel