Tragjedi në Illinois. Një grua 40-vjeçare, Elzbieta Plackowska, ka goditur për vdekje me thikë një vajzë të mitur për të cilën po kujdesej dhe djalin e vetë.
Ngjarja, sipas raportimeve të së përditshmes “Chicago Tribune”, ka ndodhur në Nejpërvill, në afërsi të Çikagos.
Tragjedia ka tronditur qytezën, duke rikthyer në mendje atë që ndodhi gjashtë ditë më parë në Nju Jork, ku kujdestarja Yoselyn Ortega vrau dy të vegjël, 2 dhe 6 vjeç.
Gruaja nga Çikago, me origjinë nga Polonia, e ka kryer veprimin e saj të martën në mbrëmje dhe aktualisht ndodhet në burgun e kontesë DuPage.
Hetuesve ajo u ka thënë se dëgjonte disa zëra djallëzorë të cilët e shtynë të vriste dy fëmijët, të identifikuar si Olivia Dworakowski, 5 vjeç, dhe Justin Plackowska, 7 vjeç.
Gjithashtu, ajo ka rrëfyer edhe për shqetësimin e saj për vdekjen e ndodhur së fundmi të të atit dhe për një sherr që ka pasur me bashkëshortin.
Elzbieta, sipas raportimeve të mediave amerikane, tani duhet të përgjigjet për dy akuza të cilat i atribuohen, për vrasje të gradës së parë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, e ëma e Olivias, Marta Dworakowski, një infermiere e turnit të natës në laboratorin e analizave, ia kishte besuar vajzën kujdestares për të shkuar në punë.
Por kujdestarja vrasëse, pasi ka vrarë Olivian dhe Justin, ka hipur në makinë dhe ka vajtur në shtëpi, ku djali i madh pasi e ka parë të mbuluar nga gjaku, ka lajmëruar policinë.
Top Channel