Trupi i ish-liderit palestinez, Yasser Arafat do të zhvarroset në muajin nëntor për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes së tij.
Lajmin e bëjnë të ditur burime nga Franca, të cituara nga shtypi ndërkombëtar.
Hetuesit do të mbërrijnë në Ramallah në 24-26 nëntorin e ardhshëm.
Autoritetet palestineze kanë konfirmuar lajmin dhe kanë saktësuar që një ekip tjetër nga Zvicra do të jetë i pranishëm në Ramallah në të njëjtën kohë.
Së fundmi, disa shkencëtarë të punësuar nga një agjensi private zbuluan nivele të larta radioaktiviteti, të substancës polonium-210, në sendet personale të ish-udhëheqësit të Palestinës, e njëjta substancë që vrau ish agjentin rus, Aleksandër Litvinenko.
Ky zbulim përforcoi bindjen se në të vërtetë, Arafat nuk ndërroi jetë në vitin 2004 si pasojë e një problemi në zemër, por i helmuar nga sferat të cilat i “interesonte” vdekja e tij.
Më parë, bashkëshortja Suha ka fajësuar shprehimisht Shërbimet Sekrete Izraelite, “Mossad”, për vrasjen e Arafatit.
Top Channel