
Lëvizja Vetëvendosje, duke komentuar raportin e BE për drejtësinë në Kosovë, ka kritikuar pa rezerva EULEX-in, duke e cilësuar si të dështuar misionin e tij për vendosjen e rendit dhe ligjit.
Përfaqësuesja e VV, Alma Lama deklaroi se ligji në Kosovë nuk ka goditur kurrë personat që e kanë shkelur atë, të cilët sipas saj janë në majat e politikës kosovare.
Por dështimi më i madh i këtij misioni, sipas deputetes së partisë së dytë më të madhe të opozitës, ka qenë në zonën problematike të veriut.
“Çështja më problematike dhe dështimi më i madh për misionin e EULEX-it është veriu. EULEX-i në veri ka bërë lojë politike. Pra, nuk ka luajtur rolin e misionit për sundimin e ligjit dhe në vend të drejtësisë ka marrë vendime politike”, deklaroi Lama.
Lama theksoi se dështimi i EULEX-it kundrejt popullsisë vendase në Kosovë dhe dështimi i tij kundrejt taksapaguesve evropianë paraqet dy anë të së njëjtës medalje, të humbjes.
Ndërsa përfaqësuesja tjetër e VV, Puhie Demaku tha se raporti është një dëshmi e pastër e një qeverie të korruptuar që duhet të dorëhiqet dhe një misioni ndërkombëtar të dështuar që duhet të tërhiqet.
“Ky raport prej 71 faqesh për cilëndo qeveri demokratike do të ishte një ftesë për dorëheqje. Dhe për cilindo mision, që ka për synim suksesin, do të ishte një biletë kthimi për në shtëpi”, tha Demaku.
Top Channel