
Analisti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer ka deklaruar se mesazhet që Hillary Clinton dhe Catherine Ashton dhanë në Beograd e Prishtinë ishin të pritshme.
Në një intervistë për “REL”, Serwer ka komentuar deklaratën se, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe vijimi i dialogut mes tyre nuk nënkuptojnë njohjen e pavarësisë.
“Mendoj se çështja e njohjes për një kohë të gjatë nuk do të jetë në rend të ditës, ndaj dhe nuk jam i habitur përse zyrtaret nuk kanë insistuar për një gjë të tillë”, ka thënë Serwer.
Megjithatë, analisti nuk është shprehur i shqetësuar nga anëtarësimi eventual i Serbisë në BE dhe bllokimin e mundshëm që ky vend mund t’i bëjë Kosovës, pasi sipas tij për këtë është ende herët.
“Hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian është ndoshta një dekadë larg, në mos më shumë, ndaj mendoj se është herët të shqetësohemi për këtë”, ka deklaruar Serwer.
Ndër të tjera, ai ka vlerësuar me nota pozitive mesazhin e zonjës Clinton se nuk do të ketë ndryshim të kufijve në rajonin e Ballkanit.
“Edhe pse shumë njerëz në Beograd nuk duan ta dëgjojnë, ai padyshim është një mesazh i qartë dhe nuk duhet të injorohet”, ka nënvizuar Serwer, duke iu referuar disa deklaratave të kryeministrit Ivica Daçiç, se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme.
Top Channel