
Çmimet e reja mbi të vjetrat dhe ngritja e tatimit mbi vlerën e shtuar
kanë bërë që shumë serbë të jenë të pakënaqur me ofertat në
supermarkete.
Organizata Kombëtare e Konsumatorit ka bërë thirrje për bojkot të supermarketeve të mëdha të paktën për disa ditë që nga fillimi i javës. Serbia është njëra pre vendeve ku monopoli është mjaft i zhvilluar,ndërkaq inflacioni këtë vit është rritur. Qeveria nuk ka ulur rrogat, por ka devalvuar në njëfarë forme vlerën e tyre.
Ekonomistët thonë se bojkoti nuk do të ketë ndikim të madh, por mjafton që të tregohet se ekziston pakënaqësia. Sipas tyre, fuqia blerëse nuk është e madhe.
“Ka qenë një thatësi e madhe në bujqësi dhe kjo është më e rëndësishmja për prodhimet, ka rënë vlera e valutës-dinarit, ka qenë një krizë ekonomike në eurozonë që ka bërë presion dhe kemi pasur shumë shpenzime. Inflacioni do jetë në mes të 12-13 për qind. Ndërkaq Serbia ka debalanc buxheti dhe është më lehtë të rrënohet valuta se sa të zvogëlohen rrogat për njerëzit”, thotë Goran Nikollic, ekonomist.
Rreth 40 për qind e shpenzimeve të një banori të zakonshëm në Serbi harxhohen për ushqime. Këtë nivel e kanë edhe të gjitha vendet e rajonit, të cilat për shëndetësinë harxhojnë dy herë më pak.
“Njerëzit janë mësuar të jetojnë mjaft varfër, të zvogëlojnë çdo gjë luksoze si shembull shkuarjen në teatër. Por, edhe në blerjen e ushqimeve që është një nga segmentet kryesor në Serbi me 2/5 e shpenzimeve, e që është një faktor dështues gjithashtu pasi në vendet që harxhohet shumë në ushqim janë vende të varfra. Ne kemi 30 vjet që jetojmë keq dhe kriza nuk është special, por një gjendje e zakonshme”, tha Nikollic.
Organizatorët thonë se mediat nuk e japin lajmin e bojkotit për shkak të reklamave. Një nga problemet e vendeve të rajonit, sipas Institutit për Studime Evropiane, është se imitojnë një jetë luksoze në krahasim me mundësinë financiare të xhepave të grisur.
Top Channel