Hungaria planifikon të ofrojë leje qëndrimi pa afat në këmbim të parave për të gjithë shtetasit e vendeve jashtë Bashkimit Europian, që do të paguajnë një kuotë të caktuar në arkat e shtetit.
Projektligji i ri i hartuar nga partia në pushtet “Fidesz” parashikon që nëse një shtetas i huaj do të blejë bono të posaçme shtetërore me vlerë prej 250 mijë eurosh, ai mund të pajisjet me leje qëndrimi pa afat dhe të nisë, nëse do të dëshirojë, edhe procedura të lehtësuara për marrjen e nënshtetësisë.
Duke prezantuar projektiligjin në Parlament, të mërkurën, një prej udhëheqësve të lartë të partisë së kryeministrit Orban deklaroi se disa biznesmenë kinezë ishin ankuar më parë për vështirësinë e marrjes së vizave hungareze, të domosdoshme për udhëtimin dhe realizimin e investimeve të tyre në vend.
Aktualisht, Hungaria përballet me një recesion të thellë dhe kërkesa për një hua madhore prej 15 miliardë eurosh ka ngrirë, për shkak të vështirësive të lindura në bisedimet midis Budapestit dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Qytetarët hungarezë, si pjesë e shtetasve të BE-së, mund të lëvizin, punësohen ose arsimohen pa probleme midis 27 vendeve anëtare.
Megjithatë, opozita e kundërshtoi ashpër këtë projekt, duke theksuar se ofrimi i shtetësisë në këmbim të parave do të vendoste një precedent të rrezikshëm për vendin dhe se fyen vetë shtetasit hungarezë dhe prejardhjen e tyre kombëtare.
Top Channel