Megjithëse Parlamenti grek ka miratuar 6 nga 7 amendamentet e projektligjit të privatizimeve, proçedura e votimit ka treguar të çarën e parë të madhe në gjirin e koalicionit qeveritar.

Projektligji ka kaluar nga një shumicë prej vetëm 148 votash pro dhe 138 kundër, edhe pse koalicioni qeverisës mbeshtetet nominalisht nga 176 deputetë në Parlamentin 300-vendesh.

Për qeverinë e Samaras proçedura e sotme ka qenë një fitore si e Pirros, pasi ishte një sinjal i madh rreziku në këtë provë gjenerale, në prag të votimit të paketës së masave të kursimit në 7 nëntor, që janë si kusht për të marrë këstin e ndihmës prej 31.5 miliardë eurosh.

Amendamenti i fundit që u bë shkak për përçarjen e qeverisë dhe që u soll për votim nga ministri i Financave, synonte përfshirjen e Fondit të Sigurimeve Sociale të punonjësve në media, tek Organizmi Kombëtar i Shërbimeve Shëndetësore, çka ka shkaktuar reagimin e gjithë shtypit grek që ka shpallur greva të një pasnjëshme 24-orëshe prej mëngjesit të së mërkurës.

Vlen të përmendet se as lideri i PASOK-ut, Evangjelos Venizellos dhe as ai i së Majtës Demokratike nuk kanë qenë të pranishëm në votim, fakte që tregojnë klimën në gjirin e këtyre partive qeveritare.

Nëse shumë deputetë socialistë dhe ata të së Majtës Demokratike do të vazhdojnë të kundërshtojnë reformat në marrëdhëniet e punës, paketa me masat prej 13.5 miliardë euro nuk do të aprovohet dhe vendi do të shkojë drejt falimentimit të plotë.

Sot në Parlament është paraqitur për votim edhe projektbuxheti për vitin 2013, që do të votohet më 11 nëntor, një ditë para se Eurogrupi të japë ose jo dritën jeshile për këstin e ndihmës ndaj Greqisë.

Shumica e masave të tij kanë të bëjnë me reduktime masive në shpenzimet shtetërore, paga e pensione që shkojnë në 6.5 miliardë euro. Ekonomia greke pritet të tkurret me 4.5% vitin e ardhshëm, borxhi total do të rritet deri në shifrën rekord prej 189% të PBB-së dhe po ashtu edhe papunësia.

Athinës zyrtare i është kërkuar në mënyrë të rreptë edhe në telekonferencën e ministrave të Financave të eurozonës, që menjëherë të mbyllë të gjitha çështjet e pazgjidhura në mënyrë që të finalizojë negociatat me trojkën, për të cilat kryeministri Samaras kishte trumbetuar orë më parë se kishin përfunduar.

Top Channel