Takimi i ardhshëm mes kryeministrit serb Ivica Daçiç dhe atij kosovar Hashim Thaçi do të mbahet më 7 nëntor, nën ndërmjetësimin e BE sikurse herën e kaluar.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja serbe “Blic”, sipas të cilës pala serbe pritet të ofrojë një opsion për zgjidhjen e çështjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.

Në këmbim të kësaj, raporton gazeta, vendit mund t’i jepet në dhjetor një datë e kushtëzuar për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ky plan u është paraqitur një ditë më parë edhe sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, gjatë qëndrimit në Beograd.

Sipas burimit, presidenti Nikoliç dhe kryeministri Daçiç u thanë dy zyrtareve se e kanë të vështirë të zbatojnë paktin për menaxhimin e integruar të kufijve, por u shprehën të gatshëm për paktet e tjera të arritura deri më sot.

Gjatë së martës mediat serbe njoftuan se sot, e mërkurë, ekzekutivi do të zhvillojë një mbledhje ku do të diskutojë platformën me të cilën do të paraqitet në bisedimet me Kosovën. 

Top Channel