Deputetët shqitparë të BDI-së, me mbi 15 mijë amandamente do të tentojnë të bllokojnë sjelljen e projektligjit për forcat maqedonase të sigurisë, që të hënën u rikthye në Kuvend për t’u miratuar me proçedurë të përshpejtuar.

“Debati rreth këtyre amendamenteve do të zgjasë aq shumë sa që do të jetë i pakuptimtë çdo debat për këtë ligj dhe kjo është një mundësi për të bllokuar miratimin e këtij ligji”, deklaroi Talat Xhaferi, shef i grupit parlamentar të BDI-së.

Gjatë debatit parlamentar për rikthmin e projektligjit problematik në Kuvend, propozuesit e draftit, deputetët e VMRO-DPMNE-së thanë se ligji do të sillet pavarësisht numrit të madh të amendamenteve, ndërsa PDSH-ja e quajti qesharak tentimin e BDI-së për të bllokuar me amandamete sjelljen e projektligjit për forcat maqedonase.

“Është shumë qesharake kur dëgjon këtu që kanë përgatitur 15.500 amendamente për të bllokuar ligjin dhe sillen në një farë mënyrë sikur të jenë opozitë, ndërkohë që ata kanë marrë nga populli mandate që të qeverisin. Do të ishte shumë më e pranueshme që atë shifër prej 15.500 amendamentesh ta zëvendësonte me 5 emra projektesh kapitale për shqitparët e Maqedonisë”, deklaroi Zijadin Sela, deputet i PDSH-së.

“Jo vetëm 15 mijë, por 150 mijë amendamente po pati nevojë ne do t’i sjellim këtu në Parlament. Jo për t’u bërë qesharak, por për të treguar se kur është nevoja për të mbrojtur interesat tona, për ne raportet mes koalicionit nuk janë themelore dhe vendimtare”, replikoi Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Projektligji për forcat maqedonase të sigurisë nga partitë shqitpare është cilësuar si anti-shqiptar, pasi parasheh të drejta të veçanta vetëm për ushtarët maqedonas dhe përjashton luftëtarët e UÇK-së.

Top Channel