Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka mbërritur në
Sarajevë, vizitë gjatë të cilës do të shoqërohet nga homologia e BE,
Catherine Ashton.

Clinton është pritur fillimisht nga ministri i Jashtëm Zllatko Llagumxhija, ndërkohë që më vonë, bashkë me Ashton, do të takohet me liderët e presidencës trepalëshe.

Më vonë, në orët e pasdites, dy zyrtaret e larta do të udhëtojnë drejt Beogradit, ku do të takohen me liderët e atjeshëm, konkretisht me presidentin Nikoliç dhe kryeministrin Daçiç.

Ndërsa në mbrëmje vonë Clinton dhe Ashton do të mbërrijnë në Kosovë, ku pritet të përcjellin mesazhe për bisedimet me Serbinë dhe reformat për integrimin.

Agjencia e lajmeve “AFP” citonte një ditë më parë një zyrtar të Departamentit të Shtetit që thoshte se, zonja Clinton do t’u kërkojë dy vendeve që të lënë pas të kaluarën e hidhur dhe të shohin drejt integrimeve në BE dhe NATO.

Ndërsa përsa i përket Bosnje e Hercegovinës, zyrtari shtoi se SHBA dhe BE kanë mbetur të zhgënjyer për faktin se zyrtarët e këtij vendi nuk kanë vendosur interesat e shtetit në vijën e parë, por ato personale dhe partiake.

“Mendoj se mesazhi i sekretares Clinton dhe zonjës Ashton në Sarajevë do të jetë: ‘ne dëshirojmë ta shohim vendin anëtar të BE-së dhe NATO-s, por për këtë na duhen reformat e domosdoshme’”, saktësoi zyrtari.

Më pas, zonja Clinton do të vazhdojë e vetme turin në Shqipëri dhe Kroaci. Kjo e fundit, tha më tej zyrtari i Departamentit të Shtetit, është shembulli më i mirë për atë pjesë të rajonit që është ende larg integrimit në Bashkimin Evropian.

Top Channel