Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, dhe shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, kanë arritur në Kosovë, mbrëmjen e së martës.
Të dy zonjat kanë zbritur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nën masa të rrepta sigurie. Rreth orës 20 e 15 minuta, ato u pritën nga presidentja Atifete Jahjaga, ambasadorja Trejsi Xhekobson dhe zyrtarë të tjerë kosovarë.
Mëngjesin e së mërkurës, Clinton dhe Ashton do të zhvillojnë takime të shumta në Prishtinë. Fillimisht me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, pastaj me kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilin do të kenë dhe një deklaratë para mediave. Pas këtyre takimeve, sipas axhendës, Sekretarja amerikane e shtetit dhe shefja e diplomacisë europiane, do të zhvillojnë edhe një takim me udhëheqësit e partive politike në Kosovë.
Kjo vizitë është cilësuar historike nga autoritetet kosovare, për faktin se Clinton dhe Ashton do të shtyjnë përpara një proçes të ri të dialogut me Serbinë, i cili, siç është thënë, do t’i hapë Kosovës rrugën drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.
Në proçesin e dialogut Kosovë – Serbi, Bashkimi Europian ka rolin e ndërmjetësuesit, ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të monitorojnë proçesin.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura lidhur me vizitën e Sekretares së SHBA-së, Hillary Clinton, dhe përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton.
Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se ky institucion “me vigjilencë dhe profesionalizëm maksimal do të ofrojë shërbimin e vet të sigurimit të delegacioneve në fjalë, duke siguruar një qarkullim më të lehtë dhe të shpejtë, sipas axhendave dhe planeve të parapërgatitura”.
Top Channel