
Gjykata Evropiane e Auditorëve ka rishikuar ndihmën e Bashkimit Evropian
në Kosovë, në fushën e sundimit të ligjit. Në raportin që ka publikuar
ky mekanizëm, të cituar nga “REL”, thuhet se kjo ndihmë nuk ka qenë
mjaft efikase.
“Edhe pse BE-ja ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve, sidomos në fushën e doganave, policisë dhe gjyqësorit, ajo ka pasur vetëm sukses modest. Nivelet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë mbeten të larta”, thuhet në raport. Sipas tij, gjyqësori vazhdon të vuajë nga ndërhyrjet politike dhe mungesa e transparencës.
“Kapaciteti i kufizuar i Kosovës për të mbrojtur dëshmitarët kyç dhe vështirësitë për zhvendosjen e tyre jashtë vendit, janë mangësi të rëndësishme”, thekson raporti, duke shtuar se në pjesën veriore të Kosovës nuk ka pasur pothuajse fare përparim në vendosjen e sundimit të ligjit.
“Autoritetet e Kosovës trajtojnë prioritete të pamjaftueshme për sundimin e ligjit dhe mbështetja e BE-së duhet të jetë më efektive”, ka thënë Gijs de Vries, anëtar i Gjykatës Evropiane të Auditorëve.
Ndryshe nga pjesa tjetër e Ballkanit perëndimor, në Kosovë nxitja e anëtarësimit në BE rrezikohet nga mungesa e një qëndrimi të përbashkët të BE-së ndaj pavarësisë së saj, thekson më tej raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve.
Top Channel