Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton është nisur drejt Ballkanit dhe në vendet e rajonit ku do të ndalojë pritet të japë nga një mesazh të veçantë.
Gjatë vizitave në Kosovë dhe Serbi, zonja Clinton do t’u kërkojë dy vendeve që të lënë pas të kaluarën e hidhur dhe të shohin drejt integrimeve në BE dhe NATO.
Lajmin e bën të ditur agjencia franceze AFP, që citon një zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili ka preferuar të ruajë anonimatin.
Sipas burimit, Clinton, që gjatë vizitës do të bashkohet me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, pritet të përcjellin mesazhin se integrimi duhet të arrihet përmes reformave.
“Po, është vështirë, reformat janë të vështira, rruga për anëtarësim është e gjatë, por nëse bëni gjënë e duhur dhe zbatoni atë për të cilën jeni pajtuar, ju keni kaluar vijën përfundimtare”, ka thënë zyrtari, duke cituar mesazhin që sipas tij do t’u jepet dy palëve.
Turin e saj ballkanik, Clinton do ta nisë nga Bosnja, shtet ky që pritet të aplikojë për anëtarësimin në BE, ndërsa kandidaturën do ta dorëzojë zyrtarisht në fund të vitit.
“Mendoj se mesazhi i sekretares Clinton dhe zonjës Ashton në Sarajevë do të jetë: ‘ne dëshirojmë ta shohim vendin anëtar të BE-së dhe NATO-s, por për këtë na duhen reformat e domosdoshme’”, ka sqaruar zyrtari.
Ai ka shtuar se SHBA dhe BE kanë mbetur të zhgënjyer për faktin se zyrtarët në Bosnje e Hercegovinë nuk kanë vendosur interesat e shtetit në vijën e parë, por ato personale dhe partiake.
Më pas, vetë zonja Clinton do të vazhdojë turin në Shqipëri dhe Kroaci. Ky i fundit, ka thënë zyrtari i Departamentit të Shtetit, është shembulli më i mirë për atë pjesë të rajonit që është ende larg integrimit në Bashkimin Evropian.
Top Channel