Një bisedë në rrjetet sociale me rezultat një plagosje, ky është bilanci i një debati midis dy vajzave në Tepelenë.
Autorja është një 13-vjeçare, që në rrethana të tjera do të ishte një vogëlushe e pafajshme, ndërsa viktima një maturante, të cilën e kishte pasur shoqe në jetën reale.
Duket se refuzimi i një shoqërie të re, kësaj radhe virtuale, xhindosi të miturën përtej kufijve. Mbase, “Facebook” është shumë më i rëndësishëm nga sa mund të mendohet për një 13-vjeçare në qytetin e vogël të Tepelenës.
Vajzat, pas një shkëmbimi ofendimesh në rrjetin shoqëror, nga celularet e tyre, lanë takim që të takoheshin pas mësimit në një nga rrugët që lidhte dy shkollat e tyre, fare pranë njëra-tjetrës.
Në takim, ish-shoqet nisën sërish fyerjet e ndërsjellta, duke bërë që e mitura të nxirrte një thikë dhe të godiste të adoleshenten në pjesën e barkut, një ngjarje tronditëse jo vetëm për familjet, por për të gjithë qytetin.
“Situata e vajzës është e mirë dhe gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut. Kjo për meritë të mjekëve dhe infermierëve që iu gjendën pranë. Kjo është një ngjarje që duhet dënuar dhe diskutuar nga të gjithë. Konflikti i vërtetë i vajzave është një budallik, mbi motive si jo pse më pranon në “Facebook””, deklaroi Hatixheja, e ëma e së plagosurës.
Adoleshentja e plagosur u dërgua me urgjencë në spital dhe falë ndërhyrje së shpejtë të mjekëve, ajo është sot jashtë rrezikut për jetën.
Edhe policia ka dyshime në lidhje me mënyrën se si duhet të veprojë. Nga njëra anë, një ngjarje që klasifikohet si një vrasje e mbetur në tentativë ose plagosje dhe nga ana tjetër, një 13-vjeçare, që nuk parashihet si një subjekt të cilin ligji mund ta dënojë.
Psikologia e shkollës së mesme, në të cilën studionte e lënduara, beson se kjo ngjarje përmban edhe një mësim të rëndësishëm për të gjithë. “Kemi mbetur krejtësisht të befasuar nga historia që dëgjuam për Anxhelën. Shkaku kryesor i kësaj ngjarje është “Facebook”-u, i bërë shkas që minorenia të prekte mirëqënien fizike të Anxhelës. U shqetësuam së pari dhe u shqetësuam shumë për shëndetin e Anxhelës dhe urojmë që ajo të shërohet sa më shpejt”, deklaroi ajo.
Debati për pasojat sociale dhe keqpërdorimin e rrjeteve shoqërore është ngritur edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, ndërsa që në vendin tonë nuk është hera e parë që për këtë arsye lindin konflikte të rënda, të cilat shoqërohen edhe me viktima.
Top Channel