Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti ka deklaruar se bisedimet në nivel politik mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejnë për zgjidhjen e problemeve teknike dhe jo për të diskutuar për integritetin territorial të Kosovës.

Në një intervistë për të përditshmen kosovare “Express”, Panariti ka paralajmëruar se Kosovën pritet ta njohë së shpejti Tunizia dhe një shtet evropian, por pa përcaktuar se cili.

Shefi i diplomacisë shqiptare ka bërë gjithashtu të ditur se njohjen e pavarësisë ai ia ka kërkuar edhe homologut serb Ivan Mrkiç, që para pak ditësh vizitoi Tiranën.

“I thash ministrit Mrkiç se finalja e këtij dialogu duhet të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb. Sepse kjo do të jetë mënyra më e mirë e reflektimit të Serbisë ndaj periudhës së shtypjes, dhunës dhe genocidit që regjimi i Millosheviçit ushtroi mbi popullin e Kosovës”, ka thënë Panariti.

Duke hedhur dritë mbi takimin me homologun serb, Panariti ka saktësuar se nga ana e tij, Mrkiç u përgjigj duke thënë se, qëndrimet tona për këtë temë janë diametralisht të kundërta.

Ministri i Jashtëm është shprehur më tej se, çështja e mosnjohjes së Kosovës nga Beogradi mban peng zhvillimin e vetë Serbisë, e sidomos të ardhmen e saj evropiane.

“Ajo mban të tensionuar situatën në rajon, jo vetëm marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe marrëdhëniet brenda në Ballkan. Prandaj, mendoj se zgjidhja e këtij problemi do të vijë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo do t’i shërbente stabilitetit, qetësisë dhe paqes në rajon, por edhe vetë interesave të Serbisë”, ka shtuar Panariti.

Ndër të tjera, ai ka përshëndetur takimin Thaçi-Daçiç, duke thënë se është një takim që duhet inkurajuar, pasi është në dobi të zgjidhjes së problemeve të dy popujve.

“Mendoj se ky është një takim që duhet inkurajuar. Sepse bëhet fjalë për dy kryeministra të shteteve sovrane që takohen dhe zhvillojnë dialog për të zgjidhur një mori problemesh të karakterit teknik dhe administrativ”, ka thënë Panariti.

Top Channel